Monday | Apr 15 2024
January 17, 2024

Trendet e ndërkombëtarizimit të migrimit – Prof. Dr. Jeton Shasivari

Analiza do të përqëndrohet në disa aspekte politike dhe juridike të kësaj çështjeje.

Lidhur me aspektet politike, fillimisht duhet analizuar histeria masive e cila po dominon migrimin meqë migrimin e gjejmë kudo në media dhe varet nga mënyra se si portretizohet në mediet masive dhe shpesh paraqitet me veçori alarmante si një fluks masiv dhe i hovshëm që i rrezikon vlerat, identitetin dhe sigurinë kombëtare. Në këtë drejtim, edhe riorientimi i vëmendjes dhe i fajit tek tjetri apo i huaji, u jep politikanëve një mundësi për të kamufluar të metat e tyre dhe duke politizuar migrimin në mënyrë populiste, sot migrimi ka mbuluar edhe programet e partive politike dhe është pjesë e pandashme e fushatave zgjedhore. Prandaj, migrimi duhet ç’mitizuar meqë ka divergjenca ndërmjet perceptimit dhe realitetit. Kështu, janë tre mësime kryesore që mund të nxirren lidhur me politizimin e migrimit. Së pari, nuk është e vërtetë që migrimi ka pushtuar globin meqë migrantët/emigrantët përbëjnë një përqindje jo më tepër se 4% në nivel global nga popullsia mbarëbotërore; Së dyti, migrantët e parregullt nuk përbëjnë pjesën më të madhe të migrantëve në mbarë botën meqë, shumica dërrmuese e emigrantëve në mbarë botën po udhëtojnë në mënyrë të sigurt dhe të rregullt; dhe së treti, narrativa aktuale e përhapur nga mediat masive dhe diskurset politike pengon kontributet e rëndësishme të migrantëve për shtetet pritëse dhe të origjinës, që janë më tepër pozitive, sesa negative, meqë emigrantët me të vërtetë rrisin produktivitetin e punës, duke plotësuar shpesh boshllëqet në tregun e punës, veçanërisht në vendet me popullsi në plakje duke kontribuuar gjithashtu edhe në ekonomitë e vendeve pritëse duke paguar taksa dhe duke shpenzuar rreth 85 për qind të pagave të tyre.

Lidhur me disa nga aspektet juridike, në lidhje me migrimin përdoren disa terma që kanë kuptime të ndryshme. Andaj, për të bërë një dallim, “migrantë” janë njerëzit që lëvizin nga një vend, rajon në një vend apo rajon tjetër, të shtyrë nga arsye të ndryshme, kryesisht ekonomike, ndërsa “refugjatë” janë njerëzit që për shkak të ngjarjeve të luftës ose nënshtrimit nga diskriminimi, kanë frikë se mund të persekutohen për shkak të racës, kombësisë, fesë, përkatësisë shoqërore ose politike dhe për këto arsye largohen nga vendi i tyre. Ndërkaq, “azilkërkuesit” janë emigrantët ose refugjatët që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.   Republika e Maqedonisë së Veriut ka një kornizë juridike relativisht solide për rregullimin e lëvizjeve të ligjshme dhe të kundërligjshme të migrimit, si dhe në lidhje me instrumentet relevante të politikës së migrimit. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut (neni 29) garanton se të huajt në Republikën e Maqedonisë së Veriut gëzojnë liri dhe të drejta të garantuara me Kushtetutë, nën kushtet e përcaktuara me ligj dhe me marrëveshje ndërkombëtare. Të drejtat dhe liritë themelore të migrantëve të ligjshëm, të përcaktuara me Kushtetutë janë të përpunuara në disa dispozita ligjore, edhe atë: Ligji për të huajt i vitit 2018 me të cilin rregullohen kushtet për hyrje, dalje, largim, kthimin e të huajve me qëndrim të kundërligjshëm, si dhe të drejtat dhe detyrimet e të huajve në Republikën e Maqedonisë së Veriut; Ligji për punësim dhe punë të personave të huaj me të cilin rregullohet çështja e punësimit të të huajve dhe ndryshimet e tij, ishin në drejtim të lehtësimit të procedurave për përfitimin e lejes të punës, si dhe rritjes të mobilitetit respektivisht lëvizshmërisë të të huajve të cilët janë të punësuar në kompani në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, me këtë ligj krahas kujdesit për të huajt, respektivisht dispozitat me të cilat ndalohet çdo lloj i diskriminimit të tyre, është dhënë kujdes edhe për mbrojtjen e tregut vendor të punës. Ndryshimet e fundit të Ligjit të punësimit të të huajve ishin bërë në vitin 2016. Me ata janë të precizuara kushtet dhe procedura me të cilën të huajt mund të punësohen apo të punojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përveç nëse me marrëveshje ndërkombëtare nuk është përcaktuar ndryshe. Gjatë punësimit të personave të huaj bëhet kujdes edhe për mbrojtjen e tregut të brendshëm të punës. Në fakt, sipas këtij Ligji, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përcakton kuotën vjetore të lejeve të punës përmes të cilave kufizon numrin e të huajve në tregun e punës. Kuota shtetërore e lejeve të punës nuk mund të tejkalojë 5% nga popullsia e Republikës së Maqedonisë së Veriut që është punësuar në mënyrë ligjore, sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë; Ligji për kontroll kufitar që rregullon kontrollin kufitar, kompetencat e policisë, bashkëpunimin ndërmjet organeve shtetërore të cilat kanë kompetenca në menaxhimin kufitar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar policor; Ligji për arsimin fillor që proklamon parimin themelor se fëmijët me shtetësi të huaj që qëndrojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë në arsim fillor nën kushte të barabarta si fëmijët-shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut; Ligji për arsimin e mesëm që parasheh se shtetasit e huaj mund të përfitojnë arsimin e mesëm dhe kanë të drejtë të kërkojnë nostrifikimin apo ekuivalencën e diplomës të përfituar jashtë shtetit; Ligji për arsimin e lartë që përcakton se shtetasit e huaj mund të regjistrohen në studime nën kushte të njëjta si edhe shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut; Ligji për mbrojtje shëndetësore që garanton mbrojtjen themelore shëndetësore për shtetasit e huaj të punësuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të huaj të cilët janë në shkollim apo aftësim profesional në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të huaj që në territorin e RMV-së janë në shërbim të organizatave ndërkombëtare, përfaqësi të huaja konsullore apo përfaqësi të tjera apo në shërbim personal të shtetasve të huaj që gëzojnë imunitetin diplomatik. Ligji për sigurim shëndetësor që përcaktohet sigurimi shëndetësor i qytetarëve dhe të huajve, të drejtat dhe detyrimet e sigurimit shëndetësor, si dhe mënyra e realizimit të sigurimit. Edhe ky ligj rregullon të drejtat dhe kushtet për sigurim shëndetësor të kategorive të njëjta të të huajve të theksuara në Ligjin për sigurimin shëndetësor; Kodi penal që i inkriminon veprat e trafikimit të qenieve njerëzore (neni 418-а), kontrabandimi i migrantëve (nenin 418-b), organizimi i grupit dhe nxitja e kryerjes së veprave të trafikimit të qënieve njerëzore dhe kontrabandimi i migrantëve (neni 418-c) dhe trafikimi i fëmijëve (neni 418c), etj.

Burimet e huaja të të dhënave (nga organizatat/institucionet ndërkombëtare dhe nga shtetet e pranimit) mundësojnë një vlerësim më real të vëllimit dhe strukturës së emigrimit nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Si të dhëna më gjithëpërfshirëse për numrin e imigrantëve/emigrantëve në shtetet e caktuara të pranimit/prejardhjes mund të ndahen ata të Kombeve të Bashkuara dhe të Bankës Botërore (vlerat numerike të të cilave zakonisht përputhen). Ata tregojnë se numri i përgjithshëm i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët qëndrojnë në shtetet e pranimit në të gjithë botën në dekadën e fundit ka shënuar rritje të vazhdueshme: 527075 (v. 2010); 562907 (v. 2015); 658264 (v. 2019) dhe 693900 persona (v. 2020).   Këto të dhëna vërtetojnë se emigrimi nga Republika e Maqedonisë së Veriut pas vitit 2015 ka vazhduar me intenzitet të rritur, si në shtetet evropiane ashtu edhe në shtetet tejoqeanike të pranimit. Raporti i IOM për vitin 2020 tregon se sipas shkallës së emigrimit në vitin 2019 Republika e Maqedonisë së Veriut është në grupin e top dhjetë shteteve në botë me numrin më të madh të emigrantëve jashtë shtetit. Sa i përket vendndodhjes gjeografike të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut jashtë vendit në bazë të burimeve të huaja të të dhënave, mund të konstatohet se edhe pas vitit 2015, Australia, SHBA, Gjermania, Italia dhe Zvicra kanë mbetur pesë shtetet e pranimit me numrin më të madh të migrantëve nga Maqedonia e Veriut. Në shtetet evropiane të pranimit, si destinacione më të rëndësishme ndahen: Gjermania, Italia, Zvicra, Austria, dhe Sllovenia.

ABOUT THE AUTHORS

Publication Type

MORE ABOUT THESE TOPICS

MORE EXPERT OPINION 3 MORE ARTICLE EXPERT COMMENTARIES