Sunday | Dec 22 2024
January 8, 2024

Efektet ekonomike të migrimit në Ballkanin Perëndimor me fokus në Maqedoninë e Veriut – Prof. Dr. Merita Zulfiu Alili

Në vitet e fundit, Ballkani Perëndimor, dhe veçanërisht Maqedonia e Veriut, ka pësuar ndryshime të rëndësishme demografike të nxitura nga tendencat e migracionit. Efektet ekonomike të migrimit në këtë rajon janë bërë një pikë qendrore e analizës. Kjo analizë synon të japë një vështrim të shkurtër në ndërveprimin e ndërlikuar të faktorëve që formësojnë peizazhin ekonomik, duke përfshirë rritjen e normave të emigrimit, ndikimin në tregun e punës, fenomenin e “ikjes së trurit” dhe kostot dhe përfitimet që lidhen me të. Në sfondin e rritjes së numrit të individëve të aftë që largohen, Maqedonia e Veriut përballet me një skenar dinamik që kërkon shqyrtim të kujdesshëm të masave dhe të politikave për të shfrytëzuar avantazhet e mundshme të migrimit duke adresuar edhe koston e emigrimit për vendet e origjinës.

Në vitin 2020, numri i migrantëve ndërkombëtar në nivel global arriti rreth 281 milionë, që përkon me rreth 3.6% të totalit të popullsisë botërore. Në Ballkanin Perëndimor, sfida kryesore për shoqërinë është procesi i tkurrjes dhe plakjes së popullsisë, i ndikuar nga nivelet e ulëta të lindjeve dhe emigrimi masiv. Nga viti 1990, numri i migrantëve nga ky rajon është dyfishuar, duke arritur në pothuajse 4.6 milionë në vitin 2019. Kjo tendencë ka qenë e shprehur në mënyrë të veçantë në Shqipëri dhe Bosnjë Hercegovinë, ku mbi 40% e popullsisë rezidente ka qenë e përfshirë në procesin e emigrimit. Bosnja dhe Hercegovina ka qenë vendi me numrin më të lartë të emigrantëve në rajon, me 1.65 milionë, ndjekur nga Shqipëria me 1.2 milionë dhe Serbia me 0.95 milionë në vitin 2019 (UN Statistics, 2019).

Shkalla neto e migrimit për Maqedoninë e Veriut ishte -0,481 për 1000 banorë në vitin 2022. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Statistikat e Migracionit për vitin 2019, Maqedonia e Veriut ishte një nga 20 vendet në mbarë botën me një stok emigrantësh që tejkalonte 25% të popullsisë rezidente (Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut 2021). Sipas të dhënave të OKB-së për vitin 2020, pesë vendet kryesore të destinacionit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut ishin Turqia, Gjermania, Zvicra, Italia dhe Australia (Tabela 1).

Tabela 1. Stoku ndërkombëtar i migrantëve në mesin e vitit 2020, Maqedonia e Veriut

Vendi

Gjithsej

Meshkuj

Femra

   Turqia

198004

106400

91604

   Gjermania

108634

55415

53219

   Zvicra

69612

36016

33596

   Italia

68840

37476

31364

   Australia

53144

26787

26357

   Serbia

47637

18690

28947

   SHBA

32866

15973

16893

   Austria

26880

14030

12850

   Sllovenia

19133

11414

7719

   Kanadaja

11090

5468

5622

Burimi:  UN statistics

Nga ana tjetër, diaspora e madhe dhe në rritje ofron mundësi zhvillimi ekonomik dhe social të ekonomive dërguese. Këtu përfshihen remitancat, të cilat ofrojnë mbështetje të menjëhershme financiare, dhe investime në biznese dhe në pasuri të paluajtshme që stimulojnë ekonomitë lokale. Diaspora sjell gjithashtu njohuri dhe aftësi të fituara jashtë vendit, duke nxitur inovacionin dhe konkurrencën. Rrjetëzimi dhe partneritetet e lehtësuara nga komunitetet e diasporës mund të përmirësojnë bashkëpunimet ndërkombëtare, ndërsa ndikimi i tyre kulturor dhe përpjekjet sipërmarrëse kontribuojnë në diversifikimin ekonomik. Për më tepër, anëtarët e diasporës shpesh angazhohen në filantropi, duke mbështetur projektet e komunitetit, arsimin dhe kujdesin shëndetësor. Kthimi i individëve të diasporës mund të çojë në një “fitim të trurit”, duke promovuar më tej inovacionin. Përpjekjet e avokimit dhe lobimi nga diaspora mund të ndikojnë në politikat që përfitojnë vendet e tyre të origjinës. Në thelb, diaspora luan një rol vendimtar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik për vendin e origjinës.

Remitancat

Remitancat janë një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë familje në Ballkanin Perëndimor. Punëtorët nga rajoni që migrojnë në vendet më të pasura në Evropën Perëndimore shpesh dërgojnë para te familjet e tyre. Këto para mund të përdoren për konsum, investime ose kursime dhe mund të ndihmojnë në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e standardeve të jetesës në rajon. Remitancat personale, llogaritur si përqindje e PBB-së, ishin  3% në vitin 2022 për Maqedoninë e Veriut. Remitancat e dërguara familjeve në vendet e origjinës mund të zyrtarizohen më tej për të realizuar potencialin e tyre të plotë të zhvillimit.

Edhe pse remitancat mund të paraqesin një burim të rëndësishëm të të ardhurave për vendet e origjinës, ky ndikim financiar mund të bëj këto vende tepër të varura nga këto transaksione nga jashtë dhe si rezultat ekonomitë e këtyre vendeve të jenë të varura nga ndryshimet dhe luhatjet e ekonomive të vendeve pritëse.

Efektet e migrimit në tregun e punës

Shpresohej që migrimi do të ndihmonte në adresimin e problemeve me të cilat përballet forca punëtore dhe tregu i punës; megjithatë, pritshmëria se emigracioni do të lehtësonte papunësinë afatgjatë nuk u realizua. Pavarësisht emigrimit të lartë të fuqisë punëtore, papunësia mbetet një nga problemet më të mëdha të vendit – e cila tani është në një kontekst edhe më pak të favorshëm për shkak të mungesës serioze të disa llojeve të punës dhe aftësive të nevojshme për të nxitur zhvillimin ekonomik. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i qytetarëve në moshë pune (15-64 vjeç) të Maqedonisë së Veriut në vendet pritëse evropiane u rrit nga 200,158  në vitin 2015 në 219,438 në vitin 2020.

Emigrimi i popullsisë ekonomikisht aktive ka rritur mungesën e fuqisë punëtore në vend, veçanërisht të profileve të caktuara. Analiza e ESARNM-së e aftësive të kërkuara tregon se tregut të punës i mungon vazhdimisht fuqia punëtore me arsim të lartë në fusha të caktuara (programues softuerësh, inxhinierë mekanikë, mjekë, specialistë IT dhe teknologë, etj), si dhe punëtorë me arsim profesional. Situata aktuale në Maqedoninë e Veriut nënkupton nevojën për një harmonizim më të madh të politikës arsimore në të gjitha nivelet me kërkesat e tregut të punës. Regjistrimi masiv i të rinjve në arsimin e lartë ka rezultuar në mbiprodhimin e një fuqie punëtore me arsim të lartë të profileve të caktuara që nuk mund të absorbohen në tregun e punës. Kjo ka sjellë një rritje të papunësisë së personave me arsim të lartë dhe në intensifikimin e emigrimit intelektual.

Largimi i trurit

Një shqetësim i rëndësishëm është emigrimi i individëve të aftë dhe të arsimuar, të quajtur shpesh si “ikje truri”. Kur punëtorët e arsimuar dhe të kualifikuar largohen nga vendi, kjo mund të pengojë zhvillimin ekonomik dhe të pengojë rritjen e sektorëve të rëndësishëm si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe teknologjia. Sipas Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (2019), ka pasur një emigrim në rritje të të rinjve me arsim të lartë nga Maqedonia e Veriut gjatë dekadës së kaluar, duke përfshirë akademikë dhe shkencëtarë nga universitetet dhe qendrat kërkimore.

Megjithëse ka mungesë të të dhënave për të matur me saktësi shkallën dhe natyrën e ikjes së trurit dhe kthimit të mundshëm të trurit, një studim nga Leitner (2021) i Institutit të Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) hedh dritë mbi fenomenin e “rikthimit të trurit” përmes një sondazhi të studentëve që kthehen në Maqedoninë e Veriut pas përfundimit të studimeve jashtë vendit. Maqedonia e Veriut konsiderohet si një vend me mungesë të politikave efektive që adresojnë çështjet e ikjes së trurit dhe përfitimit të trurit. Strategjia Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me diasporën 2019–2023 përfshin katër shtylla të politikave, planeve veprimi dhe operacionale (Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut 2019), por zbatimi është i dobët.

Si përfundim, efektet ekonomike të migrimit në Ballkanin Perëndimor janë komplekse dhe të shumëanshme. Ndërsa remitancat mund të ofrojnë një burim jetik të ardhurash dhe investimesh, ikja e trurit dhe sfidat e tjera duhet të menaxhohen me kujdes për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në rajon. Politikëbërësit në këto vende duhet të gjejnë një ekuilibër midis shfrytëzimit të aspekteve pozitive të migracionit dhe zbutjes së pasojave negative të tij. Qeveria e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës duhet të rishikojë dokumentet ekzistuese kombëtare që kanë të bëjnë me çështjen e migracionit dhe të bëjnë shumë më tepër për të zbatuar politikat e orientuara drejt frenimit të “ikjes së trurit”. Si të frenohet kjo humbje e talenteve  mbetet një sfidë e madhe, veçanërisht për një vend që është demografikisht i vogël dhe ekonomikisht dhe gjeografikisht periferik brenda Evropës. Masat e dukshme të politikave që sugjerohen janë krijimi i më shumë vendeve të punës, paga më të larta, kushte më të mira pune dhe programe të përshtatshme trajnimi për të përshtatur hyrjet e reja në tregun e punës me ata sektorë ku ka kërkesë dhe potencial për zgjerim.

ABOUT THE AUTHORS

Publication Type

MORE ABOUT THESE TOPICS

MORE EXPERT OPINION 3 MORE ARTICLE EXPERT COMMENTARIES