Trendet ndërkombëtare të migracionit
Prof. Dr. Fati Iseni – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup
Që nga kohërat e lashta njerëzimi ka qenë gjithmonë në lëvizje, por kah fundi i shekullit 20-të dhe fillimi i shekullit 21 kjo lëvizje ka marrë një dinamizëm më të madh në pjesë të ndryshme të botës. Nga vetë fakti se ne sot jetojmë në një epokë të lëvizjes së paparë të ideve, teknologjisë, parave dhe njerëzve, sigurisht që kjo e dikton nevojën edhe të lëvizjes së kapitalit njerëzor.
Një nga faktorët kryesor është edhe globalizimi i cili ka ndryshuar botën dhe vazhdon të ndryshojë konceptin e marrëdhënieve midis shteteve kombëtare, korporatave dhe organizatave ndërkombëtare në kuptim të refleksioneve gjeopolitike dhe si rrjedhojë edhe ekonomike, kulturore dhe demografike, sociale, të sigurisë, ose mjedisore.
Shkaqet e emigrimit janë të shumta por vlerësohet se kryesisht ikin prej konfliktit të dhunshëm, terrorizmit, ndryshimeve klimatike, varfërisë, pabarazisë dhe padrejtësisë.
Krerët shtetërorë anembanë botës kanë një imperativ moral për të ofruar siguri, prosperitet ekonomik dhe mirëqenie për njerëzit e tyre, por politika duhet të jetë e përshtatshme për mjedisin lokal, qoftë gjeografik, politik apo kulturor, për të ndihmuar njerëzit të funksionojnë mirë.
Definimi i termave Emigrim/Imigrim/Migrim
Emigrate – Emigrimi do të thotë të largohesh nga vendi për të jetuar në një vend tjetër
Immigrate – Imigrimi është të vini në një vend tjetër për të jetuar përgjithmonë
Migrate – Migrim është të lëvizësh, d.t.th. një veprim që ndodh për momentin
(Përdorimi midis emigrimit, imigrimit dhe migrimit varet nga këndvështrimi i fjalisë)
Përkufizimi i një migranti ndërkombëtar
Emigrant ndërkombëtar: dikush që ndryshon vendin e tij ose të saj të vendbanimit të zakonshëm, pavarësisht nga arsyeja e migrimit ose statusi ligjor nëse kohëzgjatja është të paktën 1 vit (burimi: Kombet e Bashkuara, 1998 dhe rekomandimet mbi Statistikat e Migracionit Ndërkombëtar)
Arsyet për migrim mund të përfshijnë: të studiosh ose të marrësh trajnim; të punosh ose të fillosh një biznes; të bashkohesh me anëtarët e familjes; të kërkosh liri më të madhe personale; të kërkosh strehim nga persekutimi.
Një pasqyrë kohore e migrimit global
Kolonizimi i Amerikave | 1492-1820. Midis periudhave 1492-1820, rreth 2.6 milionë evropianë emigruan në Amerikë.
Tregtia transatlantike e skllevërve | 1525-1866. Sipas vlerësimeve, rreth 12.5 milionë afrikanë u morën si skllevër midis 1525 dhe 1866 në Karaibe, Amerikën e Veriut dhe Amerikën e Jugut.
Një migrim i nxitur në SHBA | 1916-1970. Më shumë se katër milionë afrikano-amerikanë migruan nga Jugu i SHBA-së për një hark kohor prej 30 vjetësh.
Zhvendosja e hebrenjve para, gjatë dhe pas luftës së dytë botërore | 1939. Bolivia mirëpriti 30,000 refugjatë, ndërsa më shumë se 60,000 gjermano-hebrenjë shkuan në Palestinë në vitet 1930.
Krijimi i Izrealit | 1948 – Pas krijimit të Izraelit në vitin 1948, populli palestinez iu nënshtrua spastrimit etnik dhe gjenocidit, i njohur ndryshe si Nakba. Forcat izraelite zhvendosën të paktën 750,000 njerëz, por sot, vlerësohet se ka 7.2 milionë refugjatë palestinezë në mbarë botën.
Ndarja e Indisë 1947- Pas përfundimit të sundimit të Britanisë mbi Indinë, nënkontinenti u nda në dy shtete të veçanta – Pakistani me shumicë myslimane dhe India me shumicë hindu (Bangladeshi nga viti 1971). Ndërsa shifrat e sakta janë të diskutueshme, ndarja zhvendosi afërsisht 14 milionë njerëz sipas linjave fetare. Nga India në Ugandë në MB – 1972 – Mijëra indianë u sollën në Afrikë në vitet 1890 për të ndërtuar Hekurudhën Kombëtare të Ugandës që lidh kryeqytetin e saj Kampala me Mombasa, Kenia. Në vitin 1972, për shkak të indofobisë, diktatori i Ugandës Idi Amin i dha komunitetit të pakicës aziatike të vendit të tij 90 ditë për t’u larguar. Rreth 55,000 uganda-aziatikë u dëbuan dhe më shumë se gjysma u vendosën në MB.
Ikja nga Lufta e Vietnamit 1975 – Migrimi në shkallë të gjerë në SHBA nga Vietnami filloi në fund të Luftës së Vietnamit në 1975. Ndërsa kriza humanitare në rajon u intensifikua dhe komunizmi u thellua, pothuajse 125,000 refugjatë vietnamezë u pranuan në SHBA.
Pushtimet dhe trazirat civile në Afganistan – Fundi i viteve ’90 deri më sot pushtimi sovjetik i Afganistanit në fund të viteve ’90 u pasua nga një rritje e ekstremizmit dhe trazirave civile që përfundimisht shkaktuan një ndërhyrje të NATO-s. Vitet e konfliktit çuan që Afganistani të kishte popullsinë e dytë më të madhe të refugjatëve në botë. Sipas UNHCR-së, vendi ka rreth 2.6 milionë refugjatë të regjistruar. Rreth 1.5 milionë refugjatë afganë jetojnë në Pakistan.
Luftërat Jugosllave 1991 deri në 2001
Luftërat Jugosllave ishin një seri konfliktesh etnike dhe luftërash për pavarësi dhe kryengritje të zhvilluara në ish-Jugosllavi nga viti 1991 deri në 2001. Kjo çoi në shpërbërjen e shtetit jugosllav në shtatë shtete dhe zhvendosi më shumë se 4 milionë ndërsa vrau mbi 200,000.
Kriza e refugjatëve sirianë 2011
Në prill 2011, qindra njerëz vdiqën në përleshjet midis ushtrisë siriane dhe forcave të opozitës. Ndërsa vlerësohet se numri i të vdekurve ishte 511,000 nga fillimi i luftës deri tani. Që nga viti 2016, OKB-ja vlerëson mbi 13.5 milionë sirianë të zhvendosur – popullsia më e madhe e refugjatëve në mbarë botën. Përafërsisht shtatë milionë janë zhvendosur brenda vendit, ndërsa të tjerët kanë kërkuar strehim në Turqi, Liban, Jordani dhe Egjipt.
Kriza Rohingya e Mianmarit
Që nga viti 2017, më shumë se 740,000 njerëz nga Mianmari kanë kaluar kufirin drejt Bangladeshit për shkak të dhunës ekstreme. Shumica e refugjatëve identifikohen si Rohingya, një grup etnik i pakicës myslimane në Mianmar me shumicë budiste. Shumë Rohingya migruan pranë qytetit kufitar të Cox’s Bazar, kampi më i madh dhe më i dendur i refugjatëve në botë.
Popullsia lëvizëse e Kinës 2030
Ndërsa shpesh është e vështirë të mblidhen të dhëna të sakta statistikore për popullsinë migrante lëvizëse, numri është padyshim mjaft i madh. Sipas Bankës Botërore, deri në vitin 2030, vlerësohet se deri në 70 për qind e popullsisë kineze do të jetojnë në qytete.
Sa emigrantë ndërkombëtarë ka në botë?
Sipas të dhënave statistikore nga OKB-ja në vitin 2017 në botë kishte rreth 258 milionë ose 3.4% e popullsisë globale.
Me rritjen e popullsisë së botës, rritet edhe numri i migrantëve ndërkombëtarë, megjithëse me një rritëm më të shpejtë. Kështu midis viteve 1990 dhe 2017, popullsia globale u rrit me 42%, ndërsa numri i emigrantëve ndërkombëtarë u rrit me 69%.
Ndërsa që nga 1 korriku 2020 numri global i migrantëve ndërkombëtar vlerësohej të ishte 281 milionë.
Viti 2000 dhe 2017
Ku jetojnë migrantët – Top 10 vendet që i pranojnë
Tabela 1.
Ku janë flukset më të mëdha?
Migrimi ndodh kryesisht midis vendeve brenda të njëjtit rajon:
Azia dhe Evropa janë dy rajonet kryesore të origjinës dhe destinacionit
Mosha dhe gjinia e migrantëve:
Shpërndarja e migrantëve ndërkombëtarë sipas moshës dhe gjinisë, në vitin 2017, 48% e migrantëve ishin femra, 70% e migrantëve ishin në moshë pune (20-64 vjeç)
Viti 2000 dhe 2017
Nga vijnë migrantët – Top10 vendet
Tabela 2.
Ballkani në rrjedhën e emigracionit
Vendet e Ballkanit nuk kanë përjashtim nga rrjedha globale e emigracionit. Megjithëse në Ballkan çdo herë ka qenë boshti i përplasjes së gjeopolitikave globale dhe si rezultat popullata vendase ka pësuar më shumë, duke filluar nga ndarja e Perandorisë Romake në vitin 395, ndarja e Kishës në vitin 1054, ardhja e Perandorisë Osmane kah fundi i shekullit 14-të, Luftërat Ballkanike 1912/13, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, konfliktet në ish-Jugosllavi, e tjerë.
Është një koinçidencë interesante se pikërisht vendet e Ballkanit të cilët objekt i trajtimit për të ndarë sferat e interesit ndërmjet Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik, gjatë Konferencës së Jaltës në shkurt 1945, midis Stalinit dhe Churchilit në gjendje të dehur gjatë një darkimi, sot po përjetojnë një egzod masiv dhe parashikimet për një të ardhme të mesme janë shumë pesimiste. Sa për ilustrim kemi bërë një krahasim të numrit të banorëve të disa shteteve për një hark kohor të caktuar, ndërsa për disa shtete të tjera janë marrë për bazë numri i nxënësve në shkollat fillore i cili mund të jetë më i saktë për të pasqyruar trendin e uljes së popullsisë meqë të dhënat për ndryshimet demografike nuk janë shumë të besueshme.
Shembull:
Shndërruar në përqindje do të rezultojë:
Numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut – Krahasim vitet 2008-2021
Tabela 3.
Imigracioni – Stereotipet
Kryesisht rezistenca për të pranuar emigrant shfaqet në vendet e pranimit të tyre dhe shpesh shoqërohet edhe me debate dhe trazira të përmasave të ndryshme. Në hapësirat tona gjeografike Evropa Perëndimore është zona më e afërt të cilën e shohim dhe e ndjejmë çdo ditë se si reflekton fluksi i emigrantëve në disa shtete të Evropës. Për fat të keq fraksionet ekstreme të djathta shënojnë rritje dhe kjo është shqetësuese për shkak të stereotipeve imagjinative që krijohen, e cila padyshim edhe krijon një hendek si pengesë për integrim në mes imigrantëve dhe popullatës vendase. Disa stereotipe që hasen më shpesh janë: refugjatët ikin në kërkim të një jete më të mirë; vetëm ndërtoni kufijtë siç duhet dhe kriza e refugjatëve do të ndalet; refugjatët janë të frikshëm; ka shumë refugjatë për vendin tonë; refugjatët kryejnë më shumë krime; emigrantët po na vjedhin punët; emigrantët janë ‘teknik qebap’; Emigrantët gëzojnë jetë të këndshme dhe përfitime sociale, etj.
Një shembull i tillë është Holanda. Partia për Liri krijoi një nga trazirat më të mëdha politike në politikën holandeze që nga Lufta e Dytë Botërore. Partia populiste e djathtë për Lirinë (PVV), e udhëhequr nga Geert Wilders, fitoi 37 vende në Dhomën e Përfaqësuesve prej 150 vendesh, duke u bërë partia më e madhe për herë të parë. Të katër partitë e qeverisë së koalicionit në detyrë pësuan humbje. Ndoshta ky është vetëm fillimi dhe cili do të jetë epilogu në një proces më afatgjatë është vështirë të parashikohet.
Konkluzione
Çështja e migrimit është një nga debatet më të diskutueshme dhe të polarizuara brenda politikës kombëtare në Evropë, siç mund të shihet në rastin e Holandës, Francës, Hungarisë, Polonisë, Greqisë dhe shumë të tjerëve. Kjo ka krijuar një ndarje serioze në shoqëri: zakonisht, njerëzit janë ose për migrimin ose kundër tij.
Ashtu si çdo temë tjetër që lind në vendet demokratike, përmes debatit dhe analizës së kujdesshme të situatës, edhe për këtë çështje shumë të ndjeshme duhet të arrihen zgjidhje dhe kompromise.
Edhe pse është kritike ndoshta të hapen temat e emigracionit në këto kohë ndarjesh të polarizuara, por dinamizmi i madh i lëvizjeve të njerëzve ka krijuar një imperativ që detyrimisht duhet bota të krijojë një politikë të re të unifikuar për këtë çështje, e cila do të ishte obligative për të gjitha shtetet migratore.