Sunday | Dec 22 2024
March 23, 2024

Perspektivat Universitare: Kuptimi mbi cilësinë arsimit i lartë në RMV – Doc. Dr. Bujamin Bela

Kapitali njerëzor përveç se është një variabël e rëndësishme për zhvillim ekonomik, ai paraqitet edhe si parakushti themelor për produktivitet dhe cilësi në punë. Në këtë kontekst, debatet që janë zhvilluar për cilësinë në arsimin e lartë kanë qenë ndër më të bujshmet, gjithmonë në qendër të vëmendjes të shumë qarqeve politike dhe akademike. Kjo edhe për arsyen sepse cilësia në arsimin e lartë është një koncept shumë i rëndësishëm, shumëdimensional dhe dinamik. Cilësia edhe në institucionet e arsimit të lartë varet shumë nga cilësia e kuadrit arsimor. Niveli i edukimit, arsimimit, zhvillimit dhe nxënies së njohurive, përvojave, kompetencave dhe aftësive të reja të kuadrit arsimor janë determinuesit kryesorë për një cilësi më të lartë në arsimin e lartë. Padyshim se kjo nënkupton se cilësia në rend të parë varet nga vetë mësimdhënësit dhe procesi i tyre i mësimdhënies, respektivisht sa më e lartë të jetë përgatitja e tyre, aq më e lartë do jetë cilësia dhe anasjelltas. Sigurimi i cilësisë në punë arrihet duke përmirësuar proceset dhe rezultatet, që janë edhe qëllimi kryesorë i të gjithë atyre që duan të jenë të suksesshëm në punën e tyre.

Në realitet shohim se në sektorin e arsimit të lartë po ndodhin ndryshime të thella shumëdimensionale, me llojllojshmëri të përmbajtjeve të programeve studimore dhe të  aktiviteteve tjera. Evidente është se me shkollimin e mesëm të obligueshëm u rrit numri i studentëve të regjistruar nëpër universitete, me këtë si pasoj është rritur edhe numri i institucioneve arsimore publike dhe private, por fatkeqësisht qasja ndaj cilësisë në sistemet e arsimit të lartë  po bie në vazhdimësi dhe i tërë sistemi i arsimit të lartë po kalon nga një sistem “elitare” në atë “masovik”. Në anën tjetër, burimet financiare nga ana e shtetit edhe ashtu të diversifikuara, po reduktohen, dhe përcjellja ose kërkesat për llogaridhënie po paraqiten si një shqetësim real për cilësi dhe standarde.

Nisur nga kuptimi i termit “cilësi” (cilësia e procesit arsimor që u ofrohet studentëve) dhe definicionit të “standardit” (arritje aktuale ose rezultati i synuar), do të gjejmë rrugën drejt definimit të asaj që ne e quajmë “standard akademik” që merr kuptimin e “aftësisë së matshme për të përmbushur nivelin e specifikuar (standardizuar) të arritjes  akademike”. Kuptohet që për të realizuar qëllimet, pra arritjen e standardeve të dëshiruara janë të nevojshme realizimi i disa aktiviteteve, veprimeve dhe procedurave akademike.

Nga ana tjetër, vetë definimi i universiteteve si “qendra të kulturës, dijes dhe kërkimit shkencor”, që prodhojnë kuadro dhe profile të specializuara për kontribut shoqëror dhe zhvillim ekonomik, imponojnë nevojën që institucionet e arsimit të lartë të jenë autonome, si në aspektin moral dhe atë intelektual, që të krijohet pavarësi në vendimmarrje nga ana e autoriteteve politike dhe e fuqive ekonomike. Por, në këtë kontekst institucionet e arsimit të lartë në të njëjtën kohë ballafaqohen edhe me problemin e besueshmërisë në aftësinë e instancave të tyre akademike që në mënyrë kritike të vlerësojnë punën e tyre vetanake dhe të justifikojnë autonominë e besuar të institucionit. Ky proces, institucionet e arsimit të lartë i bëjnë edhe më përgjegjëse ndaj të gjithë pjesëmarrësve tjerë shoqërorë, duke filluar nga studentët, prindërve, punëdhënësve potencialë dhe tatimpaguesve tjerë respektivisht shoqërisë në tërësi.

Shikuar nga këndvështrimi i rrjedhave në arsimin e lartë në vendin tonë dhe në rajon, veç mangësive dhe dobësive tjera, forcën transformuese drejt një cilësie më të lartë e shton edhe konfuzioni mbi definimin e cilësisë që vjen nga mentalitetetet  e ndryshme mbizotëruese dhe jo gatishmëria për tu ballafaquar me pikëpamjet moderne mbi çështjen e cilësisë. Mospajtimet me definimin e cilësisë fillojnë nga perceptimet e ndryshme të disa që e definojnë si arritje e qëllimeve, të tjerët, si shmangje e gabimeve dhe të tretë si kategori e përmbushjes së një minimumi të caktuar. Në kontekst të ambientit tonë, institucionet e arsimit të lartë sikur vetëkënaqen duke qënë “të parët” në rrethin e tyre, duke mos vlerësuar punën në relacion me nevojat, kërkesat e kohës, e aq më pak në aspektin komparativ me standardet e universiteteve tjera botërore. Rezultatin e këtij mentaliteti, padyshim që e shohim në rangimet e universiteteve tona në aspektin ndërkombëtar, që ka një tendencë të rënies nga “lartë poshtë” që besoj është edhe një shqetësim shtesë për të gjithë faktorët shoqëror (studentët, profesorët, qeverinë , taksapaguesit etj).

Për ta parandaluar një zhgënjim edhe më të madh duhet ti ri-definojmë strategjitë, prioritetet, metodat, teknikat e mësimdhënies, format, të menduarit ndryshe, përcaktimin e objektivave, dhe mënyrat e vlerësimit. Çdoherë duhet ta kemi parasysh se mësimdhënia është një detyrë sa e vështirë, aq edhe komplekse, pasi kërkon njohuri, aftësi dhe shprehi të shumta, ndërsa procesi arsimor duhet të mbështetet në metodat dhe teknikat bashkëkohore, ku studenti ka nevojë të reflektojë, të vlerësojë dhe të zbulojë, pra është në detyrën e mësimdhënësve të orientojnë studentët drejt të menduarit kritik dhe krijues (inventiv).

Detyra e universitetit është për të shpërndarë dijen te gjeneratat e reja, dhe kjo në ditët e sotme nënkupton se “ata duhet t`i shërbejnë shoqërisë si një tërësi, dhe se ardhmëria kulturore, sociale dhe ekonomike e një shoqërie kërkon në veçanti një investim të konsiderueshëm në arsimim të vazhdueshëm. Problemet themelore të arsimit në përgjithësi na hutojnë, sepse ne, ende nuk e kemi kuptuar dhe përcaktuar mirë e qartë se çfarë modeli të njeriut dëshirojmë të prodhojmë për këtë shoqëri. Përmes masave dhe ndryshimeve të shpeshta, të pamatura dhe të pa adaptuara në kontekstet tona gjeografike dhe kulturore, për rrjedhojë çdo eksperiment i radhës po rezulton me pasoja fatale për shoqërinë.

Prandaj sot, kur po ndodhin ndryshimet e mëdha demografike, sociale dhe ekonomike, mësimdhënia duhet të bazohet në kompetencat që përfshijnë një sistem të integruar të njohurive, shkathtësive dhe të qëndrimeve të zbatueshme dhe transferues, të cilat do t`u ndihmojnë studentëve, që të ballafaqohen me sfidat e kohës (të ekonomisë së tregut të lirë), që më shumë se kurrë kërkojnë dije të bazuara në aftësi. Në universitetet tona, tani përdoret modeli i sistemit evropian, i përzier me modelin “socialist”, ku në fakt dominon sistemi “i memorizimit”, e jo i aftësimit dhe vënies në praktik të dijes për zgjedhje të problemeve shoqërore. Problemet në sistemin tonë duhet të shikohen në prizmin e modelit që e kemi përzgjedhur, sistemin evropian i bazuar në sistemin e pikëve kreditore ose, siç quhet ndryshe, mënyra binare e vlerësimit.

Në sistemin arsimor sfidat janë të llojllojshme duke filluar nga mungesa e vlerësimit adekuat të programeve studimore të akredituara, përcjellja adekuate e cilësisë, mungesa e laboratorëve teknik dhe kushteve tjera fizike (objektet) sipas standardeve, dominimi i një ngurtësie praktike e kurrikulave, të cilat bëhen sipas profesorit, e jo sipas asaj që e kërkon tregu i punës; numri i vogël i studentëve në ushtrime praktike, staf akademik shpesh pa përvojën e nevojshme, mungesë bashkëpunimi midis universiteteve, orientim të gabuar të studentëve në programet studimore, si dhe tekste të përkthyera keq (të pakuptueshme) ose të shkruara dobët, kriteret e ulëta për regjistrim në universitete, në disa raste edhe korrupsion, dhe të ngjashme. Prandaj për të kontribuar në përmisimin e gjendjes duhet të respektohet Statusi i Universitetit që ka të bëjë me statusin juridik dhe pavarësinë (autonomia universitare). Edhe pse të gjithë pretendojnë se janë njësoj të rëndësishëm për sa u përket diplomave që lëshojnë dhe perspektivës për punësim të studentëve ekzistojnë dallime në infrastrukturë, zhvillim institucional, burime njerëzore dhe financiare, ekspertizë shkencore dhe programe akademike.

QASJA PËR UNIVERSITETIN DHE ZHVILLIMI INSTITUCIONAL 

Këtu, qasja e re duhet të tregojë një kuptim të ri për mënyrën si funksion universiteti për nga elementet e Pushtetit dhe Autoritetit përfaqësues, dhe Vendimmarrjes, dhe Zhvillimit Institucional. E gjithë kjo shihet si e nevojshme për të mos krijuar klane akademike, klientelizëm politik, struktura të bastarduara ineficiente në funksion të bllokimit të iniciativave cilësore për zhvillimin e Universiteti në mes SENATIT, REKTORIT dhe STAFIT AKADEMIK. Element i rëndësishëm është zhvillimi institucional i lidhur me politikat financiare, akademike, burokratike, dhe studentore, funksionimi, organizimi, cilësia, dhe zhvillimin akademik që ka të bëjë me programet akademike, kërkimin shkencor dhe aplikativ.

Qasja e re duhet të tregojë nëse qeveria do i trajton të gjithë universitetet njësoj, pavarësisht traditës, madhësisë, vendndodhjes gjeografike, karakterit publik apo privat, cilësisë dhe kontributit të tyre? Mendoj se qasja e re do të duhet t’i japë përparësi sistemit publik të arsimit të lartë dhe universiteteve, duke e konsideruar atë një lokomotivë për cilësinë dhe standardet e arsimit të lartë dhe burim konkurrence për sektorin privat në bazë të performancën, cilësisë, kontrollit të rrepta dhe kontributit shoqëror.

Qasja e re mbi cilësinë duhet të ndryshoj edhe mbi kuptimi për edukimin që ka të bëjë me vlerësimin që i bëhet dhe rëndësinë që i jepet arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në veçanti duke u shprehur edhe në terma financiar. Arsimimi i lartë është komponent kryesore në nivel makro, ndikon mbi zhvillimin ekonomik dhe social, cilësinë e politikave publike dhe qeverisjes, funksionimin e institucioneve, dhe në nivelin mikro, si aftësim i individit për karrierë, kontribut shoqëror dhe mirëqenie individuale. Sipas qasjes së re mbi cilësinë e arsimit ligjërimi dhe mësimdhënia nuk janë të mjaftueshme në kuptimin e vetëm të transferimit të njohurive, por edhe me aftësimin e studentit për interpretim, formim opinioni, komunikim, mendim kritik, sens praktik. Kjo nënkupton që të mos prodhojmë studentët të dinë të lexojnë, por nuk dinë të kuptojnë, interpretojnë, logjikojnë në mënyrë kritike.

Ekzistojnë disa parakushte për të arritur autonomin reale të universiteteve, parandalimin e ikjeve dhe shpërnguljes së trurit (kuadrove profesionale), rritjen e kualiteti në Arsimin e lartë, vlerësimin efikas, rritje dhe përforcim të konkurueshmërisë brenda dhe jashtë shtetit. Kjo mund të arrihet përmes këtyre shtyllave të nevojshme:

  1. Rritja e cilësisë në arsimin e lartë nëpërmjet përmirësimit plotësues të punës së Këshillit për akreditim dhe vlerësim në arsimin e lartë – Analizë e programeve ekzistuese të studimit dhe vlerësim i rëndësisë së tyre për nevojat tregut të punës – optimizmi i profileve arsimore që financohen nga shteti
  2. Stimulim dhe përkrahja e Universiteteve me fonde të veçanta për përcjellje të njohurive të reja(sipas strategjisë kombëtare) në fushat e caktuara si teknike dhe sociale, metodikën e mësimdhënies, pjesëmarrjen në trajnime ndërkombëtare, bashkëpunime për sjellje të kuadrit ndërkombëtar për transferim të know-how për zhvillim të qëndrueshëm etj.
  3. Largim të kufizimit për shfrytëzim të mjeteve të vetëfinancimit institucional nëse orientimi i tyre bëhet për përkrahje hulumtuese dhe zhvillimore të kuadrit. Përkrahje e hulumtimeve, trajnimeve gjithëpërfshirëse të stafit akademik (asistent dhe profesor) për mënyrat dhe strukturimet e vlerësimeve (testime kompakte dhe valide me përmbajtjen) stimulimi i metodave të reja të mësimdhënies, trajnime të veçanta për aplikime në projekte ndërkombëtare, stimulimin e inovacioneve etj. 
  4. Lejimi i punësimeve kadrovike kualitativ nga Ministria përkatëse sipas nevojës së programeve studimore dhe njësisë së fakultetit.
  5. Ligj mbi arsimin e lartë në lidhje me nivelizimin e pagave dhe stimulimi i punonjësve akademik në bazë të performancës – KPI vlerësimi (hulumtime, projekteve ndërkombëtare dhe impakti shoqërorë). Këtu përfshihet edhe fleksibiliteti sipas rëndësisë së njësisë akademike dhe të arriturave në fushat e caktuara.
  6. Programi nacional për arsimin e lartë dhe programi nacional për punën hulumtuese duhet të ofroj rregullore për kriteret dhe matësit kryesor për stimulim dhe financim të arsimit të lartë dhe punës kërkimore. (Numri i studentëve, mjetet dhe pajisjet e nevojshme, shfrytëzimi i laboratorive, aftësia e njësisë akademike, punimet shkencore me impakt faktorë etj)
  7. Bashkëpunimi midis universiteteve vendore që të sjell orientim të pranueshëm të studentëve në programet studimore dhe shfrytëzim të përbashkët të qendrave për hulumtime dhe inovacione në bazë të programeve të caktuar (harmonizim në bazë të kapacitetit, afërsisë gjeografike dhe mundësive financiare për investim, etj).
  8. Sigurimin e pajisje të nevojshme institucionale dhe kushte për ligjërim dhe ushtrime sipas nevojave të programeve studimore.
  9. Qasja në të dhënat shkencore globale është e kufizuar dhe nevojitet të stimulohet financimi i data-bazave ndërkombëtare që janë parakushte për hulumtime cilësore.
  10. Vendosje e një observatoriumi për shkathtësi.
  11. Përforcim i rrjetit të bashkëpunimit me universitetet e rangut të lartë në rangimin ndërkombëtarë.
  12. Përkrahje për hulumtime specifike, fushave aplikative dhe inovacioneve.
  13. Kontrolle të përhershme nga agjensioni për akreditim i cili mund ta tërheq vendimin e saj për akreditim në çfarëdo kohe, nëse kushtet e dhëna me rastin e akreditimit janë shkelur, nëse aplikuesi ka dorëzuar informata dhe dokumente të rreme të cilat kanë ndikuar në dhënien e akreditimit
  14. Funksionimi efikas i qendrave profesionale për orientim profesional të të rinjve që nga shkollat e mesme.
  15. Përdorimi I udhëzuesve për stafin akademik në lidhje me përdorimin e metodave dhe teknikave bashkëkohore mësimore, ku studenti ka nevojë të reflektojë, të vlerësojë dhe të zbulojë, (jo të memorizoj e gjeneralizoj) pra të orientohet drejt të menduarit kritik, krijues dhe shpirt kërkues.

Për në fund mendoj se është koha e fundit kur të gjithë faktorët të sensibilizohen dhe të vlerësojnë drejt këtë gjendje të padëshirueshme, dhe secili në kuadër të përgjegjësive që posedon të ndërmarrë hapat e duhura për përmirësimin e situatave me veprime konkrete, efikase dhe të matshme. Në të kundërtën gjeneratat që vijnë dhe historia, me të drejtë, do të na shpallin përgjegjës për dështimet që mund të na ndodh si nga aspekti ekonomik, papunësisë, varfërisë dhe migrimet.

ABOUT THE AUTHORS

Publication Type

MORE ABOUT THESE TOPICS

MORE EXPERT OPINION 3 MORE ARTICLE EXPERT COMMENTARIES