Friday | Mar 13 2026
02 Mar 2026

Reformë për Konkurrueshmëri apo Goditje për Gjeneratën e Re Akademike?

Reformë për Konkurrueshmëri apo Goditje për Gjeneratën e Re Akademike?

Bujamin Bela
IDEFE Publications, 2026
24 pp.
DOI: 10.51331/focus03
/

Hyrje

Arsimi i lartë përbën një nga shtyllat kryesore të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe shkencor të çdo shteti. Arsimi i lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndodhet në një fazë të rëndësishme reformimi, ku sfidat e cilësisë, konkurrueshmërisë dhe zhvillimit institucional kërkojnë zgjidhje të balancuara dhe afatgjata. Debati mbi gjendjen aktuale të sistemit përfshin çështje kyçe si autonomia universitare, avancimi në tituj akademikë, financimi i qëndrueshëm dhe mekanizmat e përgjegjësisë institucionale.

Arsimi i lartë në dekadat e fundit ka përjetuar transformime të thella strukturore si rezultat i globalizimit, masifikimit të studimeve dhe rritjes së rolit të ekonomisë së bazuar në dije. Universitetet po përballen gjithnjë e më shumë me kërkesa për rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin e programeve studimore dhe lidhjen më të ngushtë me tregun e punës dhe inovacionin teknologjik. Sipas analizës së bërë nga Philip G. Altbach, Liz Reisberg dhe Laura E. Rumbley, sistemi global i arsimit të lartë po kalon një “revolucion akademik”, i karakterizuar nga zgjerimi i shpejtë i universiteteve, konkurrenca ndërkombëtare për reputacion akademik dhe rritja e rëndësisë së kërkimit shkencor si faktor zhvillimi ekonomik dhe shoqëror. Në këtë kontekst, universitetet nuk funksionojnë më vetëm si institucione për transmetimin e njohurive, por si aktorë strategjikë në zhvillimin e inovacionit, kapitalit njerëzor dhe politikave publike të bazuara në dije (Altbach, Reisberg & Rumbley, 2009).

Gjithashtu sipas analizës së World Bank, arsimi i lartë luan rol kyç në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe ndërtimin e kapitalit njerëzor në shoqëritë moderne. Në raportin Higher Education for Development, theksohet se universitetet janë institucione strategjike për prodhimin e njohurive, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe përgatitjen e kuadrove profesionale që kontribuojnë në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë. Raporti gjithashtu thekson se për të përmbushur këtë rol, sistemet e arsimit të lartë duhet të mbështeten nga politika publike të qëndrueshme, financim adekuat për kërkim dhe inovacion, si dhe nga institucione që garantojnë cilësi, autonomi akademike dhe lidhje të forta me sektorin ekonomik dhe shoqëror (World Bank, 2017).

Debati bashkëkohor mbi reformat në arsimin e lartë lidhet ngushtë me transformimet më të gjera në rolin dhe misionin e universiteteve në shoqëri. Në analizën e tij mbi evolucionin e sistemeve moderne universitare, Simon Marginson argumenton se modeli tradicional i arsimit të lartë i njohur si “Ideja e Kalifornisë”, i cili bazohej në akses të gjerë, investim të fortë publik dhe cilësi të lartë akademike, është vënë gjithnjë e më shumë nën presion për shkak të rritjes së logjikës së tregut, rritjes së tarifave të studimit dhe thellimit të pabarazive brenda sistemeve universitare. Sipas Marginson, këto zhvillime reflektojnë një zhvendosje nga arsimi i lartë si e mirë publike drejt një modeli më konkurrues dhe të orientuar nga tregu, ku universitetet udhëhiqen gjithnjë e më shumë nga indikatorë performancë, rangime ndërkombëtare dhe qëndrueshmëri financiare. Ky transformim ngre pyetje të rëndësishme mbi barazinë, qasjen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemeve të arsimit të lartë, veçanërisht në kontekste ku reformat ndërmerren pa mbështetje të mjaftueshme financiare dhe institucionale (Marginson, 2016).

Një dimension tjeter paraqitet në analizën e ndikimit në rritje të mekanizmave të tregut në arsimin e lartë, Pedro Teixeira dhe David Dill shqyrtojnë mënyrën se si procesi i marketizimit të universiteteve ka ndikuar në qeverisjen, strukturat e financimit dhe prioritetet institucionale. Autorët argumentojnë se, megjithëse reformat e orientuara nga tregu, si konkurrenca për studentë, financimi i bazuar në performancë dhe autonomia më e madhe institucionale, mund të rrisin efikasitetin dhe reagimin ndaj nevojave të shoqërisë, ato njëkohësisht hapin dilema të rëndësishme lidhur me barazinë, vlerat akademike dhe misionin publik të universiteteve. Sipas Teixeira dhe Dill, zgjerimi i logjikës së tregut në arsimin e lartë mund të çojë në orientimin e institucioneve drejt qëndrueshmërisë financiare dhe konkurrencës institucionale, ndonjëherë në dëm të objektivave më të gjera arsimore dhe shoqërore që tradicionalisht kanë karakterizuar universitetet si institucione publike (Teixeira & Dill, 2011).

Në analizën e tij mbi zhvillimin e universiteteve elitare në nivel global, Jamil Salmi thekson se krijimi i universiteteve të klasit botëror nuk mund të arrihet vetëm përmes reformave ligjore apo vendosjes së standardeve formale akademike. Sipas tij, universitetet që arrijnë ekselencë ndërkombëtare karakterizohen nga tre elemente themelore: përqendrimi i talentit (staf akademik dhe studentë cilësorë), burime të konsiderueshme financiare për kërkim dhe infrastrukturë, si dhe një model qeverisjeje institucionale fleksibile që garanton autonomi akademike dhe menaxheriale. Salmi argumenton se pa investime të qëndrueshme në kërkim shkencor, mbështetje për kuadrin akademik dhe strategji afatgjata zhvillimore, përpjekjet për të rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë e universiteteve mbeten të kufizuara dhe formale, duke theksuar se cilësia institucionale është rezultat i një ekosistemi të gjerë politikash dhe burimesh dhe jo vetëm i kritereve administrative (Salmi, 2009).

Reformat në arsimin e lartë janë të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e studimeve, për të forcuar kërkimin shkencor dhe për të harmonizuar sistemin me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Megjithatë, çdo reformë duhet të ndërtohet mbi bazën e respektimit të Kushtetutës, autonomisë universitare dhe parimeve të shtetit ligjor. E qart është se nevoja për sjelljen e një ligji që do e ngrisë cilësin në arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut buron nga domosdoshmëria për mbajtjen e studnetëve që migrojnë nga shkaku I cilësisë, modernizimit dhe efikasitetit të sistemit arsimor. Padyshim se zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe teknologjike kërkojnë një kornizë ligjore të përditësuar që i përgjigjet sfidave bashkëkohore.

Përshtatja me standardet evropiane, përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies, digjitalizimi i arsimit, zvogëlimi i mangësive administrative, lidhja me tregun e punës dhe rregullimi i drejtë i financimit janë shtyllat kryesore që duhet të përmbajë një ligj i ri për arsimin e lartë. Ai duhet të harmonizojë sistemin me Procesin e Bolonjës, të rrisë mobilitetin dhe njohjen e diplomave, të vendosë standarde të qarta cilësie, të modernizojë administrimin dhe teknologjinë, të forcojë bashkëpunimin me ekonominë dhe të sigurojë financim transparent e të bazuar në performancë, duke mbështetur kërkimin dhe inovacionin

BSF Focus 3 alb

Download Publication

ABOUT THE AUTHORS

Publication Type

MORE ABOUT THESE TOPICS

MORE BSF PUBLICATIONS 6 PUBLISHED PUBLICATIONS