Një nga ndryshimet ose transformimet më të mëdha në historinë botërore është padyshim lindja e individit modern, shoqërisë, shtetit, politikës, kulturës dhe ekonomisë moderne. Ky transformim, i cili mundësoi kalimin nga shoqëria bujqësore në shoqërinë industriale, njëkohësisht shndërroi, shkatërroi dhe rikonstruktoi strukturat, sistemet dhe normat klasike, që kishin mbijetuar (pa ndonjë ndryshim të madh) për mijëra vjet. Ky fenomen i ri, i përcaktuar kryesisht nga dinamikat e brendshme të vendeve evropiane, duke bërë ndryshime të mëdha në përkufizimet e termeve si Zoti, universi, natyra dhe njeriu e imponoi këtë dukuri në të gjitha pellgjet kulturore dhe civilizuese asokohe. Gjatë këtij procesi krishterimi themeloi një doktrinë të re, ku marrëdhënia e tij me shtetin ishte mjaft e kufizuar.
Ndërsa qytetërimi islam dhe shoqëritë myslimane, kësaj situate të re, e cila fillimisht u shfaq në Evropë, por që u përhap shumë shpejt dhe ndikoi të gjithë botën, nuk mundën t’i kundërpërgjigjeshin këtij fenomeni në aspektin ushtarak, politik, ekonomik dhe kulturor. Elitat myslimane u përpoqën ta kuptonin këtë situatë të re dhe t’u gjenin zgjidhje problemeve të saj në forma të ndryshme si miratimi i saj por pa hequr dorë nga karakteristikat vetjake ose duke u transformuar plotësisht. Rënia e Perandorisë Osmane, e cila ishte kalaja e fundit e qytetërimit islam, në fund të këtij procesi shkaktoi një krizë të madhe në shkencat, kulturën dhe artin e themeluar më parë nga shoqëritë myslimane që jetonin në vende të ndryshme të botës, dhe u bë shkak që myslimanët të përqëndroheshin vetëm në ekzistencën si mysliman. Për arsye të këtyre konflikteve qe vazhdonin në Anadollin e Turqisë, u ndërprenë zhvillimet shkencore, të cilat ishin pasqyrë e një kulturë të lartë, dhe u dobësuan analizat dhe këndvështrimet e studimeve shkencore për botën moderne.
Kurse vendet e Evropës Lindore që ishin nën sundimin osman u përballën shumë më herët me fenomenin e modernizmit që nga fillimi i shekullit të 19- të. Perandoria Osmane duke u përballuar veçanërisht me problemet politike të këtyre vendeve, në përgjithësi nuk arriti t’i përgjigjej kërkesave të tyre. Si rezultat i luftërave në shekullin e 20-të osmanët u tërhoqën nga rajoni ballkanik dhe kjo rezultoi në migrimin e popullsisë me kulturë të lartë urbane drejt Anadollit. Kur kësaj situate të vështirë iu shtuan edhe elementë të tillë si presioni sistematik, asimilimi dhe dëbimi i aplikuar nga shtetet e sapokrijuara ndaj myslimanëve të rajonit, myslimanët që mbetën në statusin e pakicës, gjatë këtij shekulli u përqendruan vetëm në ruajtjen e kulturës dhe ekzistencës së tyre. Si rezultat i të gjithë këtyre rrjedhojave, myslimanët e këtij rajoni për arsye se nuk kishin mundësi t’i gjenin zgjidhje problemeve të reja shkencore, institucionale, kulturore, politike dhe ekonomike u detyruan të pranonin format e modernizmit.
Popullsia myslimane e Ballkanit, e cila humbi fuqinë e saj politike, demografike, kulturore dhe shkencore, luftoi vetëm për ekzistencë gjatë gjithë shekullit të 20-të. Ishin myslimanët ata të cilëve iu mbyllën shkollat, që iu nënshtruan sekularizimit të ashpër jakobist, të cilëve u uzurpuan të drejtat e gjuhës, fesë dhe arsimit, të cilëve nuk i lejohej organizimi institucional etj. Me një periodizim dhe përkufizim tjetër, mund të themi se identitetet e myslimanëve u shtetëzuan midis viteve 1918-1945, u laicizuan midis viteve 1945-1990 dhe u kristalizuan pas vitit 1990 me demokratizimin. Edhe pse kalimi në demokraci pas viteve ‘90 ka pasur shumë aspekte pozitive në krahasim me periudhat e tjera, identiteti mysliman u kristalizua me luftën për të zbuluar ekzistencën e strukturave të brendshme dhe të jashtme në jetën publike.
Paaftësia e muslimanëve të Ballkanit për të transformuar traditën e medresesë klasike në fakultete teologjike (përveç Sarajevës) gjatë shekullit të 20-të shkaktoi një ndërprerje në shkencat islame. Dhe pamundësia për të prodhuar njohuri të reja në këto disiplina ndikoi në zbulimin e strukturave to ndërlikuar që u shfaqën në periudhën moderne. Si rrjedhojë e kësaj, tensioni që pritej të ndodhte si rezultat i ballafaqimit me shkencat moderne nuk ndodhi dhe Islami popullor ishte fokusuar vetëm në ruajtjen e disiplinave klasike të dijes. Mungesa e një terreni konfrontues me shkencat moderne dhe pamundësia për të prodhuar informacione të reja ndikoi negativisht në zhvillimin e botimeve të reja. Pas vitit 1990, me terrenin e krijuar nga demokratizimi dhe liberalizimi, filluan të hyjnë në jetën tonë të mendimit përkthime jo sistematike nga qarqe dhe shkolla të ndryshme të botës islame. Edhe pse këto përkthime të bëra nga vende dhe rryma të ndryshme jashtë Ballkanit sollën njëfarë gjallërie në fushën e shkencave islame, e cila ishte pezulluar për një shekull, mungesa e një terreni për të bërë lexime kritike të së resë, pati një ndikim negativ në praktikën e mendimit islam në Ballkan.
Kjo vepër u përkthye në gjuhën shqipe me shpresen se do të kontribuojë dhe do të mbushë disa nga mangësitë e sipërpërmendura. Para së gjithash, duhet theksuar se Stambolli është një nga qarqet shkencore më të afërta të kuptimit të Islamit dhe njohurive të prodhuara në vendet ballkanike. Prandaj e shohim shumë të rëndësishme që mjedisi shkencor i Stambollit, i cili ka përjetuar shumë tensione gjatë dy shekujt e fundit midis dilemave shkollat medrese klasikefakultetet teologjik, disiplinat islame-shkencat laike, ligji islam-ligji modern, modernizmi-tradita/klasikja, dhe veçanërisht diskutimet mbi shkencat islame të përkthehen sistematikisht në gjuhët ballkanike. Edhe pse myslimanët që jetojnë në vendet ballkanike tani për tani janë jashtë sistemit publik, ka shumë mundësi që në një periudhë të afërt të përjetojnë të njëjtat tensione në jetën publike.
Ky libër i përgatitur nën bordin editorial të Prof. Dr. Mürteza Bedir, Prof. Dr. Necmettin Kızlkaya dhe Dr. Merve Özaykal me titull: modernizimi, protestantizimi dhe selefizimi, në të cilin marrin pjesë shumë artikuj të intelektualëve të mirëfilltë, shqyrton strukturën e përgjigjeve të dhëna për shumë probleme të linduara në dy shekujt e fundit me të cilat po përballet bota islame dhe shkencat islame, veçanërisht ligji islam, dhe shqyrton kufijtë dhe kornizën e këtyre zhvillimeve në një stil akademiko-shkencor. Është fakt se proceset e modernizimit, protestantizimit dhe selefizimit si dukuri me të cilat po përballen të gjitha shoqëritë dhe shkencat islame, po ashtu kanë ndikuar, prekur dhe transformuar edhe shoqëritë ballkanike.
Ne, si shtëpi botuese IDEFE, do të përpiqemi për të botuar punime shkencore, përkthime dhe edicione mbi veprat bazë të shkencave islame, diskutimet dhe ekolet e ndryshme, me qëllim që të fitojmë sërish vrull në mendimin islam në vendet ballkanike. Fokusi jonë në botimin e librave është akademiko-shkencor. Së fundmi dëshirojmë të falënderojmë Dr. Fation Shabanin dhe shtëpinë botuese İSAR për punën e tyre në botimin e këtij libri.
Dr. Sevba Abdula
Modernizimi Protestanizimi dhe Selefizmi - Ed. Mürteza Bedir, Necmettin Kızılkaya, Merve Özaykal
Download Publication