Sunday | May 19 2024
01 Oct 2021

Raporti Mes Varësisë nga Rrjetet Sociale dhe Ankthit Social – Mr. Zehra Saiti, Doc. Dr. Bujamin Bela

HYRJE 

Tema e këtij studimi është mjaft aktuale dhe e rëndësishme për kohën në të cilën po jetojmë. Çdo ditë e më shumë jeta jonë po digjitalizohet dhe po merr një kah tjetër. Zhvillimi i botës së digjitalizuar dhe ndikimi i saj te njeriu pa dyshim se është temë interesi për të gjitha fushat e psikologjisë, por më së shumti asaj sociale. Pyetjes së cilës synon t’i japë përgjigje ky studim është: Cila është marrëdhënia mes varësisë nga rrjetet sociale dhe ankthit social?

Me ardhjen e medias së re, Web 2.0, pjesëmarrja e popullatës në rrjetet sociale u shtua. Me çdo inovacion të ri në këtë sferë, u lehtësua funksionimi i njerëzve në shoqëri, në tregti, edukim, shkencë dhe në çdo sferë tjetër. Tani më rrallë mund të flasim për persona që nuk kanë letërnjoftim digjital, profile në aplikacionet e ndryshme të rrjeteve sociale, sepse shumica shfrytëzojnë të mirat e këtij inovacioni që e krijoi vetë njeriu. Por sa prej tyre e përdorin atë nën kontroll, me balancë dhe me vetëdije? Pyetjet e këtilla filluan t’i shqetësojnë studiuesit, të cilët filluan të kërkojnë përgjigje me shkallë (instrumente) të zhvilluara.

Sipas Tutkun-alnal (2015), varësia nga rrjetet sociale është një proces që zhvillohet me proceset njohëse, afektive dhe biheviorale që shkakton probleme të tilla si preokupimi, rregullimi i humorit, përsëritja dhe konflikti në shumë fusha të jetës së përditshme si në zonat private (të veçanta), të punës/akademike dhe sociale. Sipas Shoqatës Psikiatrike Amerikane (1994), ankthi social është një gjendje frike e theksuar dhe e vazhdueshme e një ose më shumë situatave shoqërore, ose për shkak të një veprimi të caktuar, kur një individ ballafaqohet me njerëz të panjohur ose sepse mund të jetë nën vëmendjen e të tjerëve. (Aslan, 2020)

Mungesa e hulumtimeve të tilla në vendin tonë ishte motiv për t’i studiuar këto variabla. E shohim të nevojshme të kemi një pasqyrë për këto variabla në vendin tonë, që do të tregojë me statistika nivelin e varësisë nga rrjetet sociale dhe ankthit social.

Një veçanti e këtij studimi është se realizimit i këtij punimi është bërë gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Mendojmë se pandemia ka ndikuar shumë në qëndrimin edhe më të gjatë të njerëzve në rrjete sociale. Dëshira për të marrë informacione të reja dhe për të qenë në vazhdimësi me rrjedhat më të reja të pandemisë në njërën anë dhe qëndrimi sa më shumë në shtëpi në anën tjetër, kanë bërë që njerëzit me ose pa dëshirë të infektohen nga qëndrimi i gjatë në rrjetet sociale. Qëllimi kryesor i këtij studimi është të gjejë marrëdhënien mes varësisë nga rrjetet sociale dhe ankthit social.

Raporti Mes Varësisë nga Rrjetet Sociale dhe Ankthit Social - Mr. Zehra Saiti, Doc. Dr. Bujamin Bela

Download Publication

ABOUT THE AUTHORS

Publication Type

MORE ABOUT THESE TOPICS

MORE BSF PUBLICATIONS 6 PUBLISHED PUBLICATIONS