Sunday | May 19 2024
January 17, 2024

Progresi i anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Unionin Evropian: perspektivat, sfidat dhe arritjet – Prof. Dr. Abdulla Azizi

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Maqedonia e Veriut dhe shtetet tjera duhej të kërkonin një rrugë demokratike, përmes së cilës do të garantonte siguri, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Meqenëse BE-ja bazohet në lirinë, demokracinë, respektimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit; vendet e rajonit kishin vendosur individualisht për t’iu bashkuar këtyre vlerave evropiane. Kështu, Maqedonia e Veriut në vitin 2001 nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim Asocim (MSA) me BE-në. Disa vite më pas (Dhjetor 2005), Këshilli Evropian i dha Maqedonisë së Veriut statusin e vendit-kandidat, ndërsa anëtarësimi në BE ishte përcaktuar si prioriteti më i lartë strategjik për vendin.

Në raportet vjetore të progresit për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian bën vlerësime për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE, duke specifikuar se disa çështje mbeten ende problem për shtetin dhe të përsëritura vazhdimisht. Bëhet fjalë për disa fusha ku ka vonesa dhe mungesë vullneti politik për t’i adresuar ato, siç është ndikimi politik mbi administratën publike dhe gjyqësorin; zbatimi selektiv i ligjit; jostabiliteti i brendshëm politik dhe marrëdhëniet e brishta ndëretnike, korrupsioni, etj.

Krahas sfidave të brendshme për anëtarësimin në BE, Maqedonia e Veriut po përballet me mosmarrëveshje dhe probleme me fqinjtë. Pas tejkalimit të dallimeve rreth emrit të shtetit me Greqinë fqinje, një pengesë e madhe për procesin e pranimit është mosmarrëveshja ende e pazgjidhur me Republikën e Bullgarisë për identitetin kombëtar. Bullgaria, duke qenë një vend anëtar i BE-së për një kohë të gjatë, ka të drejtën e vetos kundër anëtarësimeve të reja dhe ka deklaruar vazhdimisht se do të bllokojë pranimin e Maqedonisë së Veriut nëse çështjet identitare nuk zgjidhen paraprakisht.

Me një fjalë, faza tjetër e procesit eurointegrues kërkon përkushtim të vërtetë dhe një qasje më korrekte ndaj problemeve reale. Ndërkohë, zhvillimi i negociatave do të kërkonte edhe angazhimin e kapaciteteve të disponueshme dhe angazhimin për burime të reja njerëzore jashtë institucioneve qeveritare, të cilat mund të kontribuojnë në këtë proces.

Duke pasur parasysh aktualitetin për çështjen e emrit dhe identitetin e kombit maqedonas, është evidente se Bullgaria ka avantazhin e faktit se është anëtare e strukturave euro-atlantike dhe nga ky pozicion mund të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut do të mbetet jashtë BE-së, ndërsa qytetarët vlerësojnë se mosmarrëveshja nuk mund të shtrihet në pafundësi, pasi mbajtja e një situate të tillë në status quo mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike, duke pasur parasysh dallimet në mes të komunitetit maqedonas dhe atij shqiptar.

Çështjet e pazgjidhura në fjalë janë kundërproduktive dhe japin sinjalin e mungesës së vullnetit për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Në këtë drejtim, fqinjëve iu dha një argument i fortë se Maqedonia e Veriut nuk dëshiron kompromis dhe u vendos në pozitë të vështirë dhe rritje të presionit ndërkombëtar. Prandaj, nga Maqedonia e Veriut kërkohet që të mos mbetet peng i historisë, por duhet të vendosë midis izolimit dhe integrimit. Mirëpo, kjo nuk po ndodh, sepse partitë politike ende vazhdojnë të kërkojnë reputacion politik brenda shtetit, e jo të ardhme euroatlantike të qytetarëve të tyre. Për momentin, Maqedonia e Veriut nuk ka ambient poltik për t’i inkorporuar ndryshimet kushtetuese, që kërkojnë futjen e bullgarëve në preambulën e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, si kërkesë e palës bullgare për të zhbllokuar procesin euro-integrues dhe marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në.

Përderisa kjo duket e pamundur pa mbështetjen e opozitës maqedone në parlament (VMRO-DPMNE), duket si opsion e pamundur në këtë konstelacion politik të raporteve qeveri-opozitë, të realizohet euro-integrimi i vendit sipas planit të BE-së dhe qeverisë aktuale (LSDM-BDI-ASH). Ky ngërç politik ka mundësi që të rrit ndikimet pro-ruse, kineze, iraniane dhe të tjera në rajon, që mund jo vetëm të bllokojnë euro-integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të nxit raporte konflikti dhe destabilizim në rajon duke përdorur antagonizmat historik dhe fetar mes popujve të Ballkanit. Si rrezik nga ky ndikim, e shoh të arsyeshme një vendim gjeopolitik nga BE-ja për të integruar rajonin, përkundrejt vlerësimeve të progresit individual të shteteve, krejt kjo që të eviton ndikimet e dëmshme për rajonin në tërësi. BE-ja në anën tjetër nuk do të humbte nga ky veprim, sepse bëhet fjalë për një rajon me po aq banor sa që ka vetëm Rumania, pra nuk do të ngarkon shumë buxhetin e BE-së nëse i pranon të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me një vendim politik, sikur ishte rasti i vitit 2004 me pranimin e 10 vendeve nga Evropa Qëndrore dhe Lindore. Aq më tepër se, duke marrë në konsideratë pandërgjegjshmërinë politike të liderëve në vendet e Ballkanit Perëndimor për të evropianizuar vendet e tyre, konsideroj se një anëtaresim me vendim politik të rajonit si tërësi do të parandalonte së pari mundësinë e destabilizimit, dhe më pas anëtarësimit, mundet që të kërkohet nga këta shtete një ndërgjegjësim më i lartë politik edhe përmes dënimeve dhe sanksioneve brenda sistemit ekzistues të BE-së të “disiplinohen” në drejtim të vendosjes së sistemit funksional në shtetet e tyre, që për një kohë racionale të arrihen standardet e BE-së edhe në këta vende.

ABOUT THE AUTHORS

Publication Type

MORE ABOUT THESE TOPICS

MORE EXPERT OPINION 3 MORE ARTICLE EXPERT COMMENTARIES